Universiteti Europian i Tiranës
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Universiteti Europian i Tiranës (UET) është licencuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës me vendim të Këshillit të Ministrave, dt. 20.09.2006. Ai përbëhet nga dy fakultete: Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Komunikimit, dhe nga Fakulteti i Drejtësisë. Fakulteti i Shkencave Sociale dhe Komunikimit ka dy departamente: Departamentin e Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, si dhe Departamentin e Gazetarisë e Komunikimit. Fakulteti i Drejtësisë ka dy departamente: Departamentin e së Drejtës Publike dhe Civile, si dhe Departamentin e së Drejtës Penale.
Universiteti Europian i Tiranës jep diploma në shkenca politike, marrëdhënie ndërkombëtare, gazetari, marrëdhënie me publikun dhe për jurist. Diplomat jepen nga fakultetet dhe departamentet përkatëse. Programi i Universitetit Europian është i integruar dhe ndërdisiplinor, në mënyrë që horizonti i dijeve studentore të mos ngushtohet, e që studentët të jenë të aftë të përshtaten nesër në tregun e punës. Programi është ndërtuar sipas Sistemit të Bolonjës 3+2. Kjo do të thotë që diploma universitare merret pas një studimi trevjeçar, gjatë të cilit studenti duhet të përmbushë një ngarkesë prej 180 kreditesh mësimore, nga të cilat 60% janë lëndë të detyrueshme dhe 40% lëndë me zgjedhje. Lëndët ndahen në të detyrueshme, me zgjedhje brenda degës dhe me zgjedhje për të gjithë. Në këtë mënyrë, studentët kanë mundësi që të zgjedhin mes disa lëndëve të ndryshme.