Territoret e Shqipërisë gjatë periudhës osmane
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Territoret e Shqipërise gjatë periudhes se hereshme Osmane u ndane ne disa njesi vete-administrative. Numri, shtrirja dhe emërtimi i tyre ndryshonte herë pas here. Sanxhakut të Shkodrës, të cilit më 1499 i ishin shtuar krahina të Malit të Zi dhe në fillim të shek. XVI edhe krahina të Rrafshit të Dukagjinit, iu shkëput krahina e Gjakovës, që i kaloi sanxhakut të Dukagjinit; sanxhakut të Vlorës iu shkëputën krahinat e Delvinës dhe të Çamërisë, me të cilat u krijua sanxhaku i Delvinës. Sanxhaku i Elbasanit, i Ohrit, Dukagjinit, i Prizrenit, i Vuçiternës, i Shkupit dhe i Janinës mbetën siç ishin më parë. Në filim të shek. XVI sanxhaku i Manastirit fitoi një rëndësi të veçantë, sepse selia e bejlerbeut të Rumelisë u zhvendos nga Shkupi në Manastir, prandaj ai njihet edhe me emrin pashasanxhaku i Manastirit.
Çdo sanxhak ishte një unitet administrativ e ushtarak që përfshinte timaret, ziametet dhe forcat e tyre ushtarake përkatëse. Sanxhakë u ndanë në njësi më të vogla, të cilat u quajtën kaza, kurse këto të fundit u ndanë në nahije. Në çdo sanxhak kishte një mëkëmbës të sanxhakbeut (myteselim) dhe komandant të spahinjve (allaj-bej), kurse në çdo kaza një gjykatës (kadi) që varej drejtpërdrejt nga sulltani. Përveç këtyre pati edhe funksionarë të tjerë të një rëndësie më të vogël nëpër nahijet. Shumica dërrmuese e funksionarëve, ashtu si dhe shumica e feudalëve, ishin me origjinë shqiptare. Numri i tyre tashmë ishte rritur. Ndërsa një pjesë e tyre vinte nga radhët e klasës feudale para pushtimit, pjesa tjetër, që përbënte shumicën, vinte nga radhët e ushtarakëve të shquar në luftë ose të fëmijëve të rritur nëpër shkollat e korpuset jeniçere. Kishte mbetur ndonjë sasi e vogël spahinjsh turq, të cilët më vonë u larguan ose u asimiluan, sikurse ndodhi me kolonët turq të sjellë në Koxhaxhik, Elbasan, Krujë etj.