Teorema Zaimi-Marku
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Teorema Zaimi-Marku konsiston në një mosbarazim të vërtetuar, i cili është formuluar nga dy të rinjtë shqiptarë. Gjithçka ka marrë start nga mosbarazimi i famshëm “Schur”, i zbuluar nga matematicieni gjerman në fillim të shekullit të XX. Mosbarazimi në variantin “Schur” është i vlefshëm, vetëm për një parametër (n = 3), ndërkohë që në variantin “Suranyi” është i vlefshëm për parametrin e dytë (k=0). Më parë njiheshin disa prova vetëm për k=1 dhe përdorej një matematikë shumë e avancuar, për të arritur këto prova. Kur u zbulua rasti i vlefshëm për n=4 në vitin 1993 bëri shumë bujë dhe u quajt “Mosbarazimi i Turkevicit”. Në këtë fushë janë arritur rezultate të pjesëshme më parë, nga matematicienë si Cirtoaje, Kantorovich etj. Gjenialiteti i Zaimit e i Markut konsiston në përgjithësimin e këtij mosbarazimi, duke e vërtetuar për çdo parametër n (natyror) dhe për të gjithë parametrat k (real). Zbulimi është shumë i rëndësishëm dhe teorema është formuluar, duke përdorur atë që në gjuhën e matematicienëve quhet “matematikë elemtare”. Prova me matematikë elementare ka më shumë vlerë, se ajo me matematikë të avancuar, sepse ofron mundësi më të mëdha aplikimi e është më e kuptueshme. Shqiptarët kanë përdorur mosbarazimin “Bernoulli”, mosbarazimin “Tchebyschev”, si dhe mosbarazimin mbi të mesmen algjebrike gjeometrike. Përfundimi ka qenë i habitshëm dhe tashmë, çdo mosbarazim i mëparshëm, në këtë fushë do të quhet thjesht një variant i teoremës “Zaimi-Marku”, që do të studiohet nga studentët e matematikës në të gjithë botën.
[redaktoni] Cilët janë Gjergji Zaimi e Keler Marku
Gjergji Zaimi e Keler Marku janë dy nxënës të apasionuar ndaj matematikës, apo siç mund të themi me plot gojën, dy matematicienë të ardhshëm. Të dy, i lidh me njëri-tjetrin një shoqëri e mirë dhe e gjatë, që prej fëmijërisë. Me njëri-tjetrin, dy adoleshentët janë njohur në vitin shkollor 1999-2000, në olimpiadën matematikore të rrethit Tiranë, ku dy djemtë, atëherë në klasën e gjashtë, fituan vendet e para. Gj. Zaimi vinte nga shkolla tetëvjeçare Fan S. Noli, ndrkohë që K. Marku vinte nga bankat e Jeronim de Radës. Pas rezultatit të mirë në olimpiadë, të dy nxënësve iu ofrua një bursë nga shkolla “Turgut Ozal” dhe që prej asaj kohe kanë vazhduar në të njëjtin institucion privat. Kjo olimpiadë e klasave të gjashta ka rezultuar deçizive për dy djemtë, pasi siç e pranojnë dhe vetë, më parë nuk kanë patur ndonjë rezultat për t’u vënë re, apo ndonjë pasion të veçantë për matematikën. Pikërisht atëherë, pasi u futën në institucionin arsimor privat “Turgut Ozal”, dy nxënësit filluan të motivoheshin më tepër dhe të ushtroheshin sistematikisht në prirjen e tyre. Ka qenë një punë e gjatë, e përditshme, ajo që ka çuar në rezultatet e mira të nxënësve në kompeticionet ndërkombëtare (pasi në ato kombëtare, suksesi ka qenë i përvjetshëm). Nuk ka qenë aspak e lehtë për ta, shpesh u është dashur të sakrifikojnë diçka, nga momentet e zbavitjes e shpesh kanë ndenjur mbi libra e në internet me orë të zgjatura, por sidoqoftë dy djemtë kanë rekuperuar gjithçka, duke kaluar me shoqërinë e me familjen orët e tjera, duke programuar ditët në mënyrë intensive dhe kështu, asgjë s’mbetej pas dore. Në përgatitjen e tyre, pas vullnetit individual dhe pasionit për matematikën, një rol të madh ka luajtur dhe programi stimulues i shkollës “Turgut Ozal” dhe i drejtorisë së Kolegjeve Turke në Shqipëri, të cilët kanë ofruar vazhdimisht bursa e shpërblime për ecurinë e mirë të nxënësve. Ka qenë pikërisht kjo shkollë, ajo që ka bërë të mundur formimin ekstrakurrikular të këtyre nxënëve nga profesori i njohur Edmond Pisha, kryetari i “Shoqatës së Matematikanëve”, i cili i ka ndjekur dy nxënësit në aktivitetet kombëtare e ndërkombëtare, në katër vitet e shkollës së mesme. Të dy nxënësit, Gjergji e Keleri kanë arritur të bëjnë atë, që shumë pak vetë e prisnin, në një moment pesimizmi për cilësinë e arsimit shqiptar, këta të dy kanë provuar të kundërtën.
[redaktoni] Gjergji Zaimi
Datëlindja: 20.10.1988
- Fitues i medaljes së argjendtë në Olimpiadën Botërore, Meksikë 2005.
- Fitues i medaljes së bronztë në Olimpiadën Botërore, Greqi 2004.
- Fitues i dy medaljeve të arta në Olimpiadën Ballkanike, Bullgari 2004, Qipro 2006.
- Fitues i medaljes së argjendtë në Olimpiadën Ballkanike, Rumani 2005.
- Fitues i medales së bronztë në Olimpiadën Ballkanike, Shqipëri 2003.
- Disa herë fitues i medaljeve të arta në olimpiadat kombëtare të matematikës.
- Fitues i diplomave të ndryshme ndërkombëtare e kombëtare.
[redaktoni] Keler Marku
Datëlindja: 28.07.1988
- Fitues i dy medaljeve të bronzta në Olimpiadën Ballkanike, Rumani 2005, Qipro 2006.
- Disa herë fitues i medaljeve të arta në olimpiadat kombëtare të matematikës.
- Fitues i diplomave të ndryshme ndërkombëtare e kombëtare.
Ky artikull është një faqe cung. Mund të ndihmoni Wikipedian duke e përmirësuar. |