Spiro Moisiu
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Spiro Moisiu lindi në vitin 1900 në qytetin e vogël të Kavajës në familjen e njohur të Moisive nga rridhte dhe aktori i madh me famë botërore, Aleksandër Moisiu. Spiro mbeti jetim në një moshë fare të re, pasi babai i tij u vra në vitin 1913 nga forcat rebele që kërkonin rrëzimin e qeverisë së Vlorës të kryesuar prej Ismail Qemalit. Pasi mbaroi shkollën unike në qytetin e Kavajës dhe Durrësit, Spiro u dërgua për të ndjekur gjimnazin në Vjenë të Austrisë. Pas kthimit nga Austria aty nga viti 1918-1919, ai mbaroi një kurs disa mujor në shkollën e plotësimit të oficerëve në Tiranë e cila asokohe drejtohej nga instruktorë gjermanë e austriakë ku dhe mori gradën e nëntogerit. Një vit më pas Moisiu mori pjesë në përbërje forcave qeveritare që u caktuan në mbrojtje të Kongresit të Lushnjes dhe po atë vit ai u caktua me detyrën e shefit të shtabit të grupit në luftimet që zhvilluan në Kaptinë të Martaneshit kundra forcave serbe. Në vitin 1923 ai mbaroi në Tiranë kursin tjetër një vjeçar të oficerëve që asokohe drejtohej nga ushtarakët gjermanë ku dhe mori gradën e togerit. Në Kryengritjen e Qershorit të vitit 1924, Spiro u rreshtua përkrah ushtarakëve të komanduar nga kolonelët Rexhep Shala dhe Kasëm Qafzezi të cilët u bashkuan me forcat fanoliste. Po kështu në dhjetorin e vitit 1924, Moisiu me gradën e togerit mori pjesë me forcat qeveritare që dolën në Shkallën e Tujanit për të penguar kthimin e Zogut në Shqipëri. Pas ardhjes së Ahmet Zogut në pushtet, Moisiu nuk u largua jashtë vëndit ashtu si shumë fanolistë të tjerë, por ai qëndroi në Shqipëri dhe përfitoi nga amnistia që Zogu dha për pjesën dërmuese të atyre që morën pjesë në Lëvizjen Qershorit.
[redaktoni] Ushtarak i Monarkisë së Zogut
Në vitin 1925 duke pasur parasysh aftësitë e tij si ushtarak tepër i aftë, Kryeministri Ahmet Zogu e rithirri toger Spiro Moisiun duke e titulluar përsëri oficer në Ushtrinë Kombëtare. Karriera ushtarake e Moisiut erdhi në ngritje pas viteve 1929-1930-të, kur ai mbaroi me rezultate të shkëlqyera në Tiranë shkollën e Perfeksionimit të Oficerëve që drejtohej nga instruktorët italianë, ku ndër 43 pjesmarrësit e atij kursi ai u rendit i pari duke marë gradën e kapitenit. Gjatë gjithë periudhës së Monarkisë së Zogut, Moisiu shërbeu si ushtarak i karrierës në disa rrethe të vëndit dhe në vitin 1935 kur shpërthu Kryengritja e Fierit, ai u gjend në atë qytet përkrah oficerëve besnikë që e shtypën atë lëvizje. Duke parë aftësitë e tij të rralla si ushtarak, (në atë kohë ai fliste gjermanisht, italisht, greqisht dhe serbisht) në vitet 1937-1938 Moisiu u dërgua dhe mbaroi kursin e lartë të oficerëve madhorë që drejtohej nga ushtarakët italianë në Tiranë, ku ai doli përsëri me rezultate të shkëlqyera dhe mori gradën e majorit. Në prillin e vitit 1939 kur Italia kreu agresionin fashist ndaj Shqipërisë, Major Spiro Moisiu shërbente me detyrën e Komandantit të Kufirit në Prefekturën e Shkodrës. Ai përgatiti dhe organizoi forcat që komandonte për të bërë rezistencë të armatosur trupave ushtarake italiane duke i dërguar ato deri në Shëngjin. Por duke parë se si rrodhën e precipituan ngjarjet dhe për të mos i dorzuar ushtarët e oficerët që komandonte në duart e italianëve, major Moisiu u tërhoq së bashku me ta jashtë kufjive të Shqipërisë dhe u strehua në Jugosllavi ku qëndroi si emigrant deri aty nga fillimi i vitit 1940-të. Në atë kohë ai u kthye në Shqipëri duke iu përgjigjur thirrjes për të shërbyer përsëri në rradhët e Ushtrisë Kombëtare. Në fundin e vitit 1940 major Moisiu në krye të Batalionit "Tomorri", u dërgua për të marrë pjesë në luftën italo-greke, por ai nuk pranoi të luftonte dhe u tërhoq nga fronti së bashku me major Prenk Përvizin duke nxitur dhe dezertimet në rradhët e ushtarëve shqiptarë. Pas kësaj ai u transferua në një repart në fshatin Laç të Kurbinit ku dhe u mbajt nën survejim deri sa Gjykata e Lartë Ushtarake Italiane e dënoi me vdekje për dezertim nga fronti i luftës. Ky dënim u zbut më pas për arsye se italianët kishin frikën e ndonjë rebelimi të ushtarakëve shqiptarë që vazhdonin ende të shërbenin në rradhët e tyre.
[redaktoni] Komandant i Përgjithshëm i Ushtrisë Partizane
Pas nxjerrjes në lirim, në vitet 1941-1942 Moisiu u vendos në zonat e Lushnjes e Beratit dhe hyri në lidhje me ish-ushtarakë të tjerë të Monarkisë që kishin filluar organizimin e ngritjen e çetave të para partizane. Duke pasur parasysh të kaluarën e tij të papërlyer dhe aftësitë e rralla si ushtarak i karrierës, në korrikun e vitit 1943 krerët e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe personalisht Enver Hoxha e thërritën atë në Labinot të Elbasanit ku dhe i propozuan detyrën e Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare. Lidhur me këtë, ish-Kolonel Edip Ohri (Komandanti i Prëgjithshëm i Aviacionit Luftarak 1951-1975) dëshmon: "Gjatë gjithë periudhës së Luftës si për ne partizanët e thjeshtë ashtu dhe për kuadrot drejtuese, emri i Spiro Moisiut si Komandant i Përgjithshëm u bë tepër i njohur dhe në atë kohë Enver Hoxha nuk njihej fare. Të gjitha udhëzimet dhe urdhërat e luftës, mbanin vetëm firmën e Spiro Moisiut. Ai pati gjithë meritën e organizimit të ushtrisë partizane duke mbledhur rreth vetes ish-ushtarakë të Monarkisë së Zogut si Dali Ndreun, Tahir Kadarenë, Bedri Spahiun e shumë të tjerë të cilët i emëroi në krye të formacioneve të mëdha luftarake. Duke pasur parasysh emrin dhe famën e madhe që kishte krijuar Spiro Moisiu si Komandant i Përgjithshëm, në Kongresin e Përmetit të gjithë ne menduam se përveç asaj detyre ai do të zgjidhej edhe në funksionin e Kryeministrit të Qeverisë Provizore. Por në fakt ndodhi e kundërta sepse Enver Hoxha i përqëndroi të gjitha funksionet në duart e veta duke u bërë edhe Komandant edhe Komisar i Përgjithshëm i Ushtrisë Nac-Çlir.dhe Spiro Moisiun e la vetëm me detyrën e Komandantit të Shtabit të Përgjithshëm. Në atë Kongres grada e parë Gjeneral-major për kuadrot e Ushtrisë Nac-Çlir. iu dha Spiro Moisiut. Gjatë viteve të luftës familja e Spiro Moisiut, e përbërë nga bashkëshortja e tij Aspasia dhe tre fëmijët: Alfredi, Arqileja dhe Jolanda, qëndruan në ilegalitet duke u strehuar në Tiranë tek familja e Sotir Manastirliut dhe më pas nga Kubatët u përcollën për në Arbanë", kujton Koloneli në pension Edip Ohri lidhur me kontributin e gjeneral-Moisiut në Luftën Antifashiste.