Arti ilir në kohën e hekurit
Nga Wikipedia, Enciklopedia e Lirë
Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit karakterizohet me stilin e tij dekorativ të theksuar të epokës së bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII p.e.sonë në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Kjo vihet re qartë sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj., përfaqësohet nga një gamë e pasur figurash gjeometrike, si rrathë të veçantë e bashkëqendrorë, rombe e trekëndësha me fusha të zbrazura ose të mbushura me vija paralele etj., të kompozuara me një fantazi të zhvilluar dhe në një sistem rigorozisht simetrik. Ky stil do të jetojë në të gjitha periudhat e veçanta të zhvillimit dhe të dobësimit të tij, deri në fund të periudhës së hershme të hekurit, duke përbërë kështu bazën kryesore dhe më të qëndrueshme të koncepteve estetike të ilirëve në përgjithësi. Arti figurativ në Iliri u zhvillua më vonë; atë e shohim të përfaqësuar në figura njerëzish dhe kafshësh të trajtuara skematikisht ose në mënyrë të stilizuar si dhe në objekte të tjera, si art dekorativ i ndërthurur me motive gjeometrike. Nga shek.VI p.e.sonë tek fiset e Ilirisë së Veriut nën ndikimin e fuqishëm të kulturave mesdhetare dhe në kornizën e lidhjeve të shumëfishta të popullsive përreth Adriatikut Verior, lindi një art i pasur figurativ, shprehjen më të lartë të të cilit e gjejmë tek situlat liburne e tek urnat japode. Në një stil të pjekur arkaik të kohës janë paraqitur në këto monumente pamje nga jeta e përditshme e ilirëve, në mënyrë të veçantë e shtresave të pasura të shoqërisë së tyre, midis të cilave skena argëtimesh, siç është rasti i një valleje grash lidhur dorë për dore, apo i një procesioni funeral, ku përcjellja është dhënë nëpërmjet një vargu të gjatë kurorash luftarake dhe kalorësish që marrin pjesë në ceremoninë solemne. Në raste të tjera paraqiten skena luftimesh, gjuetie, mundjeje etj. Këto manifestime artistike, megjithëse të ndikuara nga pikëpamja e stilit dhe e karakterit tregimtar të ornamentit prej artit arkaik grek dhe ai etniko-italik përsa i përket paraqitjes së figurave, motiveve reale dhe përmbajtjes së tregimit, kanë mjaft elemente vendëse, që tregojnë për natyrën vendore të prodhimit të shumë prej tyre. Në këtë drejtim përveç vlerave artistike, këto monumente përbëjnë edhe një burim historik të dorës së parë për njohjen e jetës dhe të koncepteve të shoqërisë ilire në shek. VI-V p.e.sonë. Përsa u përket besimeve të ilirëve të epokës së hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre të epokës së bronzit. Një rol të madh vazhdon të luajë kulti i tokës mëmë i lidhur me pjellorinë e saj dhe me zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi. Shumë e përhapur tek ilirët ishte heliolatria (adhurimi i diellit). Gjurmët e shumta të saj shprehen përmes motiveve të ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta dhe që në mënyrë grafike simbolizonin diellin. Të tilla ishin, p.sh.: rrathët bashkëqendrorë, svastikat, spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët shprehej dhe përmes varëseve të ndryshme në formë kali, kaprolli, zogu etj. Një kult tjetër shumë i zhvilluar tek ilirët, sidomos tek ata të krahinave jugore, ishte dhe gjarpri si simbol i pjellorisë si totem, si qenie mbrojtëse nga syri i keq (apotropeike) etj. Vendosja e varreve në tuma përreth një varri më të hershëm të pasur dhe qendror, si dhe shoqërimi i të vdekurit në varr me objekte të ndryshme, tregon se tek ilirët e periudhës së hershme të hekurit ishte i zhvilluar dhe kulti i të parëve, si edhe besimi mbi jetën e përtej varrit. Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive mistike, që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore. Për t’i larguar këto të këqija, ilirët sajuan forma të ndryshme varësesh (amuleta), me karakter apotropeik etj.
Kategoritë: Arte | Iliri